

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot, ka reaguar ashpër ndaj një "neni" të supozuar në draftin e ri të Kodit Penal, i cili sipas tij parashikon dënime me burg për prindërit që këshillojnë fëmijët e tyre të martohen.
Berisha e cilësoi këtë dispozitë si “absurde” dhe një shembull tjetër të politikave të gabuara të qeverisë së Edi Ramës. Duke iu drejtuar gazetareve të pranishme në sallë, ai u shpreh: **“A mund të imagjinoni tani, më thuaj mua? Ju jeni me fat se jeni të martuara. Nëse do kishit qenë beqare, nënat tuaja… mund të shkonin në burg për 3 vite nëse guxonin t’u thoshin ‘bijë e nënës, koha është për t’u martuar’. Kjo quhet martesë me zor.”**
Por siç rezulton, “neni” që Berisha lexoi gjatë konferencës nuk është pjesë e draftit zyrtar të Kodit Penal. Ai është pjesë e një memeje satirike që ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale ditët e fundit dhe që ka ngatërruar edhe shumë përdorues, përfshirë liderin e opozitës.
Në fund të konferencës, bashkëpunëtorët e tij i dorëzuan një letër me një shënim, por Berisha nuk bëri asnjë koment të mëtejshëm dhe mbylli deklaratën për mediat.
Kjo situatë ka nxitur reagime dhe ironi në rrjet, ndërsa ngre pyetje mbi verifikimin e informacionit në diskursin politik dhe publik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






