

Prishtinë, 4 gusht 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas thirrjeve raciste dhe antishqiptare të dëgjuara gjatë një ndeshjeje sportive të zhvilluar në Kumanovë. Ajo i cilësoi këto thirrje si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e bashkëjetesës në një shoqëri demokratike.
“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër,” deklaroi Osmani.
Presidentja theksoi se Kosova do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë, kudo që ndodhen, duke u angazhuar për barazi, drejtësi dhe respekt të ndërsjellë në rajon.
Ky reagim vjen pas përhapjes së pamjeve dhe raportimeve nga një ndeshje sportive ku u dëgjuan thirrje të hapura raciste ndaj komunitetit shqiptar, ngjarje që ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe në rrjetet sociale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






