

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar për incidentin në Kumanovë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ambasadori shprehet se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri.
“Thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë ne. Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo. Po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe pres që autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut të flasin qartë, fort dhe me përgjegjësi”, shkruan ambasadori.
Në palestrën e sportit në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje me gjuhë urrejtjeje dhe raciste kundër popullit shqiptar shqiptarëve. Edhe pse thirrjet dëgjoheshin qartë, autoritetet e pranishme në sallë nuk ndërhyri për t’i ndalur.
Të pranishëm ishin personalitete të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Punëve të Jashtme Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.
Disa nga thirrjet e turpshme ishin: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe kore që bënin thirrje për një “Maqedoni të pastër”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






