

SHBA- Mark Zuckerbergu është i bindur se bota do të jetë “shumë ndryshe” brenda pak vitesh. “Jam i emocionuar të krijoj një superinteligjencë personale për të gjithë në planet”, tha themeluesi dhe Drejtori ekzekutiv i Meta Group-it në mes të javës (30.07.2025), pas prezantimit të rezultateve të fundit tremujore.
Zuckerbergu: superinteligjenca pranë
Meta i referohet “superinteligjencës” si inteligjencë artificiale (IA) që kapërcen inteligjencën njerëzore në çdo aspekt. Ky variant i IA është i aftë të kryejë detyra komplekse pa ndërhyrjen e njeriut.
Kemi parë shenjat e para të sistemeve të inteligjencës artificiale që vetëpërmirësohen, tha Zuckerbergu. Prandaj, superinteligjenca po afrohet edhe më shumë, megjithëse zhvillimi i saj do të kërkojë ende kohë.
Kompania mëmë e Facebook-ut tani planifikon të investojë më shumë në qendrat e të dhënave të IA. Pritet të investohen të paktën 66 miliardë dollarë, 2 miliardë dollarë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht. Kufiri i synuar mbetet i pandryshuar në 72 miliardë dollarë.
Kompania mëmë e Facebook-ut po rritet
Meta po përfiton nga bumi në sektorin e reklamave, i cili i ka mundësuar kompanisë të shënojë rezultate tremujore të papritura të mira. Në tremujorin e dytë, grupi amerikan rriti të ardhurat e tij me 22% në 47.52 miliardë dollarë dhe fitimin e tij neto me 36% në 18.34 miliardë dollarë.
Për tremujorin aktual, Drejtoresha Financiare Susan Li njoftoi të ardhura midis 47.5 miliardave dhe 50.5 miliarda dollarëve. Konsensusi i tregut deri tani ishte vetëm 46 miliardë dollarë.
Aksionet e Meta-s dhe Microsoft-s arrijnë nivele rekord
Shifrat për tremujorin e kaluar gjithashtu tejkaluan pritjet e analistëve. Aksionet e Meta-s u rritën me më shumë se 12% në Bursën e Frankfurtit. Aksioni pritet të arrijë një rekord të ri dhe një kapitalizim tregu prej 2 bilionë dollarësh kur Nasdaq të hapet pasdite.
Aksionet e Microsoft-it janë gjithashtu shumë të kërkuara, me një rritje prej rreth 9%. Nëse aksioni vazhdon vrullin gjatë tregtimit të rregullt në Shtetet e Bashkuara, ai do të arrijë një nivel të paparë. Microsoft-i do të hynte në klubin ekskluziv të kompanive me vlerë mbi 4 bilionë dollarë, nga të cilat aktualisht bën pjesë vetëm gjigandi amerikan i çipave Nvidia, me një kapitalizim tregu mbi 4 bilionë dollarë.
Kapitalizimi i tregut të Microsoft pritet të rritet me të paktën 300 miliardë dollarë, sipas analistit Jochen Stanzl të ndërmjetësit CMC Markets. “Kjo është afërsisht e barabartë me të gjithë kapitalizimin e tregut të kompanisë më të madhe të softuerëve në Evropë, SAP.”
Microsoft-i publikon shifra të larta
Ashtu si Meta, edhe Microsoft i publikoi rezultatet tremujore të mërkurën në mbrëmje. Dhe ashtu si Meta, Microsofti po përfiton jashtëzakonisht shumë nga tendenca aktuale në inteligjencën artificiale. Pritjet e tregut ishin sigurisht të larta para se të publikoheshin rezultatet tremujore, por Microsofti ia doli mbanë.
Të ardhurat nga departamenti i Microsoft Cloud u rritën me një shifër mbi mesataren, prej 25% në 46.7 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e grupit u rritën me 18% në 76.4 miliardë dollarë, dhe fitimi neto u rrit me 22% në 27.2 miliardë dollarë. “Rezultatet tremujore tregojnë qartë depërtimin e thellë të IA në ekonomi, si dhe dinamikën që rezulton”, pohon me bindje analisti Stanzl.
Microsoft zbulon për herë të parë të ardhurat e platformës cloud
Pas viteve të sekretit, Microsofti zbuloi gjithashtu të ardhurat e platformës së saj cloud Azure gjatë prezantimit të rezultateve tremujore. Sipas këtyre shifrave, ajo gjeneroi në vitin fiskal 2024/2025 të përfunduar së fundmi të ardhura prej mbi 75 miliardë dollarësh, një rritje prej 34%.
Kjo konfirmon supozimin se Microsoft është ofruesi i dytë më i madh i shërbimeve në cloud pas Amazon-ës. Deri tani, grupi kishte raportuar vetëm shifra rritjeje, por jo të ardhura absolute./DW
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






