Transmetuar më 01-08-2025, 23:05

Greqi, 1 Gusht 2025 – Këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, një nga emrat më të njohur në skenën muzikore greke dhe evropiane, ka folur së fundmi për jetën e saj personale në një intervistë prekëse ku rrëfeu me emocione historinë e emigrimit të familjes së saj nga Shqipëria dhe sakrificat e nënës së saj.

Në rrëfimin e saj, Foureira vlerësoi fuqishëm rolin e nënës, Marjeta, të cilën e quajti “heroinë”, për përkushtimin dhe dashurinë që tregoi në rritjen e katër fëmijëve në rrethana të vështira ekonomike.

“Gjithmonë e kam dashur dhe e kam respektuar mamin tim, e kam pasur si heroinë. Rriti katër fëmijë në kushte shumë të vështira. Pas lindjes së djalit tim, Hermes, e kuptova edhe më thellë se çfarë ka bërë për ne. I thashë: nuk mund ta besoja që i rrite katër fëmijë pa para. Nuk kishim lodra, ajo qepte rrobat tona. Na rriti me kaq durim dhe dashuri”, tha këngëtarja.

Transformimi i amësisë: “Mësova çfarë është dashuria pa interes”

Foureira tregoi gjithashtu se lindja e djalit të saj e ka transformuar si person. Amësia, sipas saj, e bëri të kuptojë thelbin e dashurisë së pastër dhe pa kushte.

“Që nga momenti që djali im erdhi në jetë, kuptova sa spontane isha dikur dhe si humbet ajo me kalimin e viteve. Me të jam përpjekur të bëhem përsëri fëmijë. Është një ndjenjë e mrekullueshme, nuk krahasohet me asgjë tjetër. Mësova të dua pa interes. Kjo është dashuria e vërtetë.”

Rrëfimi i këngëtares ka prekur shumë ndjekës dhe fansa të saj, duke rikujtuar historinë e mijëra familjeve shqiptare që u përballën me sfida të mëdha në emigracion, por që ia dolën përmes sakrificave dhe dashurisë së pakushtëzuar prindërore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit