

Prishtinë, 1 Gusht 2025 – Në një ceremoni solemne të mbajtur në Presidencën e Republikës së Kosovës, këngëtarja me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, mori zyrtarisht shtetësinë e Kosovës. Në këtë ngjarje të veçantë mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves, i cili vlerësoi kontributin dhe suksesin global të artistes me origjinë shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadori Hargreaves ndau disa momente nga ceremonia, duke e quajtur takimin me Duan “një nder të madh” dhe duke theksuar se “Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë të dyja krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren”.
> “Faleminderit Presidente Osmani për ftesën në ceremoninë e veçantë ku Dua Lipa u nderua me nënshtetësinë e Republikës së Kosovës. Ishte një nder i madh të takoja Duan dhe të festonim një talent kaq të veçantë. Pres me padurim të shoh performancën e saj sonte në Sunny Hill Festival. Mos harroni të na vizitoni në #BritishCorner gjatë festivalit”, shkroi ambasadori.
Dua Lipa, e njohur për kontributin e saj në muzikën ndërkombëtare dhe për promovimin e kulturës shqiptare, është gjithashtu themeluese e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë, i cili po mbahet gjatë këtyre ditëve dhe ka sjellë emra të njohur të skenës botërore në Kosovë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






