

**Tiranë, 1 Gusht 2025** – Pas një korriku me temperatura ekstreme dhe kushte të nxehta, muaji gusht do të jetë dukshëm më i qëndrueshëm dhe i butë, sipas parashikimeve të meteorologes Tanja Porja.
Në një prononcim për mediat, Porja tha se pjesa e parë e muajit do të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm, me mëngjese dhe net të freskëta, ndërsa temperaturat do të jenë normale për sezonin, duke arritur deri në 35°C në fillim të javës së parë.
> “Rriten temperaturat, por nuk do të kemi vlera ekstremisht të larta. Deri më 4-5 gusht, nata dhe mëngjesi do të jenë të freskëta, ndërsa më pas termometri do të ngjitet deri në 35 gradë”, tha Porja.
Sipas saj, në datën 5 gusht pritet të ketë rrebeshe intensive shiu në juglindje dhe në zonat lindore të vendit, ndërsa më pas gjysma e parë e gushtit do të vijojë pa reshje, me kushte të favorshme atmosferike.
Dy valë të nxehti, por jo ekstreme
Porja paralajmëroi se gushti do të sjellë gjithashtu dy valë të nxehti, por më të lehta krahasuar me ato të korrikut. E para nis më 6 gusht dhe pritet të zgjasë 4–5 ditë, me temperatura deri në 39–40°C, por me gjasa të ulëta për të kaluar kufirin e 40 gradëve.
Vala e dytë pritet mes datave 12–17 gusht, me një tjetër rritje të temperaturave, por sërish brenda normave sezonale.
> “Si muaj, gushti pritet të jetë shumë më i qetë dhe më i butë se korriku. Dy valët e të nxehtit janë të përballueshme dhe nuk pritet të ketë ekstremitete për rajonin e Ballkanit,” shtoi meteorologia.
Në gjysmën e dytë të muajit, parashikohet një rritje e paqëndrueshmërisë me mundësi për reshje të izoluara, por pa pasoja të rëndësishme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






