Transmetuar më 01-08-2025, 13:01

Tiranë, 1 gusht 2025 – Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një fushatë të gjerë kundër uzurpimit të hapësirave publike në qytetet shqiptare, duke njoftuar se çdo ndërhyrje e paligjshme do të hiqet gradualisht, pa përjashtim. Në një deklaratë publike, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe njoftoi hapjen e një portali të posaçëm “Hapësira Ime” për denoncimet.

Rama u shpreh se zbatimi i ligjit nuk do të ketë më selektivitet dhe çdo hapësirë e zaptuar padrejtësisht do të rikthehet në funksion të komunitetit. Ai foli gjithashtu për nisjen e fazës së dytë të rilindjes urbane, e cila do të përqendrohet në krijimin e hapësirave publike moderne dhe funksionale.

Deklarata e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

“E rëndësishme të kuptohemi se nuk është ideja ‘hajde o burra të ndëshkojmë’. Do hiqen të gjitha të tëra, do hiqen hap pas hapi. Është gjë e mirë që të gjithë ju të merrni pjesë në proces duke çuar denoncime.

Do hapet edhe një adresë e posaçme, portali Hapësira Ime. Duhet të ndahet mendja që nuk mund të shtohesh përtej kufirit ku nis jeta e komunitetit. Kemi vendosur plazhet publike, jemi shumë më mirë se vjet, por nuk jemi më mirë se sa duhet.

Do të jenë ndëshkime të atilla, që mos t’i shkojë mendja njeriu të fillojë lojën nga e para. Mbrapa vjen Rilindja Urbane 2.0. Jemi duke ngritur grupe që këto hapësira t’i kthejmë në hapësira të bukura për komunitetin. Pastrojmë tek 21 Dhjetori, tek Komuna e Parisit, por nuk mundet që gjërat të mbeten ashtu – duhet të ndërhyjmë me projekte urbanistike për të krijuar hapësira të bukura publike.

Ata që kanë prona që i përdorin si parkim e të paligjshme janë të ftuar të vijnë të marrin leje dhe të ndërtojnë parkime, me 2 apo 3 kate, që mund të jenë godina shumë të bukura që mund të shfrytëzohen.

S’ka për t’u lejuar asgjë selektive. Tentativat do bëhen, dikush do mbyllë sytë, por nuk do lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit