

Tiranë, 1 gusht 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe do t’i komunikojë atij zyrtarisht akuzat të hënën, më 4 gusht, në orën 11:00.
Meta, i cili ndodhet në paraburgim që nga 21 tetori 2024, do të dërgohet në ambientet e SPAK-ut ku, në prani të avokatit të tij Kujtim Cakani, pritet të nënshkruajë mbylljen e hetimeve.
E njëjta procedurë është ndjekur edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, si dhe për dy bashkëpunëtorët e afërt të çiftit, Ema Çoku dhe Piro Xhixho. Për këta të fundit, SPAK ka komunikuar tashmë akuzat respektive: “korrupsion pasiv” për Piro Xhixhon dhe “pastrim parash” për Ema Çokun.
SPAK pritet të bëjë publike së shpejti edhe cilësimin penal për Ilir Metën, që do të hapë rrugën për dërgimin e dosjes në gjykatë. Ky zhvillim vjen pas muajsh hetimesh intensive për çështje që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave në nivele të larta të pushtetit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






