Transmetuar më 01-08-2025, 08:39

Disa nga skuadrat shqiptare kanë siguruar një biletë për në turin e tretë kualifikues të Conference League.

Në ‘Elbasan Arena’, Dinamo barazoi 1-1 kundër skuadrës nga Andorra, Atletic D’Escaldes. Falë fitores 1-2 në ndeshjen e parë ekipi i Ilir Dajës merr një sukses historik, pasi pas rikthimit në Evropë pas 15 vitesh siguron për herë të parë turin e tretë në një turne të UEFA-s.

Sfida nisi mjaft mirë për të besuarit e Dajës, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 18-të me anë të yllit Baton Zabërgja, pas një gafe në mbrojtjen mike. Por në fillimin e pjesës së dytë, Atletic D’Escaldes barazoi shifrat me anë të Berlangas. Gjërat u vështirësuan për tanët, pasi në minutën e 53-të ngelën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Karamba. Paçka kësaj, Dinamo mbajti rezultatin dhe kalon më tej.

Në Rrogozhinë, kampionët e Shqipërisë, Egnatia fitoi 1-0 kundër kampionëve të Bjellorusisë, Dinamo Minsk dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-0 kalon në turin e tretë ku gjen përballë Olimpija Ljubjanën. Golin e fitores këtë të enjte për Egnatian e shënoi Kastriot Selmani me një goditje klasi.

Vllaznia humbi 4-2 me Vikingur Reykjavik në sfidën e kthimit në Islandë. Edhe pse fitoi 2-1 në Shkodër, Vllaznia eliminohet nga turneu. Dy golat e Bekim Balaj nga penalltia nuk i shërbyen ekipit të Edi Martinit që tanimë e shohin veten jashtë Evrope.

Ballkani i Suharekës ka arritur kualifikimin për në turin e tretë të Conference League, kjo pas barazimit 1-1 në Maltë me Floriana. Sfida e parë e luajtur në Prishtinë u fitua 4-2 nga ana e ekipit të Orges Shehit, gjë që i dha një avantazh të madh në sfidën e kthimit në Maltë. Takimi nisi më mirë për vendasit që kaluan në avantazh në minutën e 38-të, por pas 8 minutash ishte Adetunji që riktheu qetësinë te ekipi nga Kosova. Ballkani më tej gjen Shamrock Rovers.

Në ‘Fadil Vokrri’, Prishtina barazoi 1-1 pas 120 minutave kundër Larne. Nga pika e bardhë më të saktë ishin miqtë nga Irlanda e Veriut që kalojnë më tej.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit