

Qeveria ndryshon ligjin për OJQ-të: Gjobë deri në 60 mijë lekë për të dhëna të rreme – ja çfarë parashikojnë nenet e reja
Tiranë – Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili sjell ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, duke përforcuar rregullat për regjistrimin, mbajtjen e të dhënave dhe sanksionet administrative për shkeljet.
Ndër ndryshimet kryesore të miratuara janë:
Zëvendësimi i termit “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë” me emërtimin e ri “Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.
Rikategorizimi i termave ligjorë, ku “regjistrim tjetër” zëvendësohet me “regjistrim i ndryshimeve të të dhënave”.
Vendimi për regjistrimin ose çregjistrimin e një OJQ-je do të merret nga një gjyqtar i seksionit tregtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Vendimet e gjyqtarit për mospranimin e kërkesave mund të ankohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 15 ditëve pune.
Shtohen sanksione të reja administrative:
60,000 lekë gjobë për deklarim të dhënash të pavërteta në regjistrin elektronik;
60,000 lekë gjobë për mosregjistrimin e ndryshimeve të të dhënave;
Këto vendime gjyqësore mund të ankohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Ligji i ri do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, dhe synon të forcojë transparencën, përgjegjshmërinë dhe korrektësinë ligjore në veprimtarinë e OJQ-ve në Shqipëri. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






