Transmetuar më 31-07-2025, 20:20

Qeveria i heq Bashkisë Tiranë Pallatin e Kongreseve – kalon në administrim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Tiranë – Me një vendim të paralajmëruar të Këshillit të Ministrave, Edi Rama sot ka vendosur t’i kalojë administrimin e Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Sipas VKM, aneksimi i objektit ikonë të komunizmit bëhet me qëllim rivitalizimin e këtij objekti si historik dhe kulturor.

Vendimi i referohet pasurisë me numër 7/74 në zonën kadastrale 8160, Tiranë, dhe parashikon ndryshimin e statusit të saj në regjistrin e pronave publike. Kjo pronë nuk do të jetë më pjesë e listës së inventarit të pronave publike të Bashkisë Tiranë, sipas vendimit nr. 834, datë 13.12.2006, i cili është modifikuar në përputhje me ndryshimet e fundit.

Në dokumentin zyrtar thuhet se ndryshimi bëhet për të mundësuar projektin e investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”, i cili pritet të shndërrojë këtë hapësirë në një qendër moderne për aktivitete kulturore dhe artistike.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Pallati i Kongreseve u ndërtua për organizimin e kongreseve të Partisë së Punës, por edhe të festivaleve. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan katër vite më pas në vitin 1986. Për ndërtimin e tij punuan ndërmarrjet më të mira në vend. Por modernizmi i godinës nga jashtë vazhdonte edhe brenda saj. Ambientet brenda saj u bënë një mënyrë që pallati të ishte edhe shumëfunksional dhe çdo gjë e vendosur atje të përshtatej me aktivitetet që do te zhvilloheshin, një funksion që Pallati i Kongreseve vazhdon ta ruajë edhe sot pas 39 vjetësh.

Pamja e jashtme me brinjët rrezore, xhamat me kënde etj., është frymëzuar nga ndërtimet e traditës në Gjirokastër, Berat dhe nga kullat e veriut, pa i kopjuar ato.

Pallati ka një shtrirje rreth 70 metra, paralel me shëtitoren dhe lartësi 18 deri në 23 metra. Qëllimi ka qenë harmonizimi i mirë me objektet ekzistuese përreth si me Muzeun Arkeologjik, stadiumin "Qemal Stafa", Kryeministrinë e Radio-Televizionin Shqiptar.

Mjedisi kryesor është salla e madhe prej 2100 vendesh e kompozuar për të plotësuar kërkesat funksionale, artistike dhe akustike për zhvillimin e kongreseve, konferencave e koncerteve.

E pajisur me ajër të kondicionuar, ndriçimin e nevojshëm, pajisjet e zërit, të televizionit, të përkthimit në disa gjuhë, të cilat do të shërbenin për veprimtari të ndryshme prej kongreseve deri tek koncertet.

Pallati i Kongreseve u projektua që kthimi i sallës nga mjedis mbledhjeje në mjedis koncerti të projektohej me lehtësi. Për veprimtari të ndryshme u projektuan edhe tri salla me kapacitete 150, 280 dhe 300 vende si dhe shumë mjedise pune, shërbime e teknike. Rëndësi i është kushtuar trajtimit të holleve në tre katet, të cilat synohej të funksionin për shërbimet, pushimin, ekspozita e veprimtari të ndryshme.

/noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit