

Himarë, 31 korrik 2025 – Rreth orës 02:20 të mëngjesit, në një lokal në fshatin Borsh, ka ndodhur një ngjarje e rëndë me përdorim armësh zjarri, pas një konflikti fizik mes disa shtetasve.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është përfshirë në një përplasje fizike me shtetasin E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas konfliktit, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është rikthyer me një armë zjarri automatike, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, të drejtuar nga shtetasi E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur këtë të fundit në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, dyshohet se H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.
Falë veprimeve të shpejta nga strukturat e DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit H. Ç., i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” (mbetur në tentativë) dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan si provë materiale katër gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna hetimore për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






