Transmetuar më 31-07-2025, 17:03

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi tarifa të reja për mallrat indiane, duke u ndalur edhe tek marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe ish-presidentin e saj, Dmitry Medvedev.

Ai e akuzoi Indinë se ka tarifa shumë të larta dhe marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Prandaj, nga 1 gushti, ai po prezanton një tarifë prej 25 përqind për eksportet indiane, me penalitete shtesë për blerjet e armëve dhe naftës ruse.

“Nuk më intereson çfarë bën India me Rusinë. Sa më përket mua, ata mund të shkatërrojnë ekonomitë e tyre të vdekura së bashku. Ne kemi bërë shumë pak biznes me Indinë, tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë. Gjithashtu, Rusia dhe SHBA-të mezi bëjnë biznes me njëra-tjetrën. Le të mbetet kështu. I thoni Medvedevit, ish-presidentit të dështuar të Rusisë, i cili mendon se është ende president, të ketë kujdes me fjalët e tij. Ai po hyn në një territor shumë të rrezikshëm”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.

SHBA-të aktualisht nuk ndajnë marrëdhënie të qeta me Rusinë, pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se do të vendoste tarifa brenda 10 ditëve nëse ata nuk bien dakord të ndalin luftën në Ukrainë.

“Trump po luan një lojë ultimatumi me Rusinë: 50 ditë ose 10… Ai duhet të mbajë mend dy gjëra: Rusia nuk është Izrael, apo edhe Iran. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ec në rrugën e të përgjumurit Joe", ishte komenti i Medvedev në platformën X qëngjalli zemërimin e Trump.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit