

PRIZEREN- Një punëtor i sektorit të ndërtimtarisë ka vdekur pasi ka rënë nga çatia e ndërtesës ku po punonte. Për këtë rast, mbikëqyrësi dhe investitori i punimeve janë intervistuar si të dyshuar dhe më pas janë ndaluar për 48 orë, tha Policia e Kosovës.
Policia rajonale e Prizrenit tha se viktima, N.Xh, rreth 40 vjeç ishte nga Drenasi. Pasi kishte rënë nga lartësia, ai ishte dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Prizrenit, por nuk u mbijetoi plagëve.
“Policia i është përgjigjur menjëherë rastit, duke ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe duke marrë dëshmi nga personat e pranishëm në vendngjarje”, u tha në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka udhëzuar që për këtë rast të iniciohet procedura penale për veprën: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Përveç rastit në Prizren, në ditët e fundit në Kosovë kanë vdekur pesë persona në vendet e punës, katër prej të cilëve nga aksidentet. Në Gjakovë, dy persona humbën jetën në të njëjtin kantier ndërtimi.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës më herët ka shprehur shqetësim, për siç ka thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.
Në Ligjin për siguri dhe shëndet në punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për vitin 2024, vitin që kemi lënë pas janë regjistruar shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës./REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






