

TIRANË- Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e subjektit "Shqipëria Bëhet" që të njihte dorëheqjet e listës së mbyllur nga kandidimi. Në këtë mënyre mandati do t’i kalonte Adriatik Lapajt si më i votuari në listën e hapur.
KAS është shprehur në shpalljen e vendimit se akti i dorëheqjeve të kandidatëve nga lista e mbyllur është një akt i pavlefshëm nga ana ligjore dhe nuk mund të merret në konsideratë. Ndërkohë KAS njoftoi se mandati i deputetit të "Nisma Shqipëria Bëhet" në qarkun e Tiranës, do t’i kalojë kandidatës, Ana Dajko.
"Akti i dorëheqjeve nga kandidimi i bërë në rastin konkret ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kanidatët e listës së mbyllur të subjekti zgjedhor "Nisma Shqipëria Bëhet", në kuptim të ligjit është një akt nul, absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mund të merret në kosideratë. Edhe subjekti nuk mund të pretendojë që KQZ të miratojë një akt që është nul. Në këto kushte ky akt nuk krijon asnjë pasojë juridike sepse heqja dorë nga kandidimi nënkupton prishjen e listës të kandidimit të atij subjekti zgjedhor, e cila pasojë ligjore ka ndalimin e konkurrimit të atij subjekti në zgjedhje. Për këto arsye KAS vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së "Shqipëria Bëhet" dhe shpalljen fitues të mandatit të qarkut Tiranë, zonjën Ana Dajko. Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të zgjedhjeve.", thuhet në vendimin e KAS.
Ky mandat deputeti është bërë shkak dhe për përplasjet mes koalicionit zgjedhor "Nisma Shqipëria Bëhet". Dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” kishin rënë dakord që deputet do të bëhej kandidat ai që merrte më shumë vota nga lista e hapur. Ndërsa ata që ishin në listën e mbyllur do të jepnin dorëheqjen. Ndërkohë, mosmarrëveshjet shpërthyen pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni tha se nuk do të tërhiqej nga mandati.
Pas disa ditësh akuzash të ndërsjella mes Lapajt dhe Endri Shabanit, daja i këtij të fundit u tërhoq nga mandati dhe kështu KQZ i dha Kleana Xhuvelit. Disa ditë para se të bëhej ndarja e mandanteve, Xhuveli vendosi "të tërhiqte dorëheqjen" e saj të mëparshme. Përmes një letre zyrtare drejtuar KQZ, ajo thoshte se ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, familjen dhe strukturat e angazhimit politik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






