Transmetuar më 30-07-2025, 12:01

Elbasan, 30 korrik 2025 – Policia e Elbasanit ka goditur një tjetër rast të shkeljeve financiare në tregun e këmbimit valutor, ku janë proceduar penalisht administratorët e 8 subjekteve private për fshehje të të ardhurave.

Operacioni policor i koduar “The Script” u finalizua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me strukturat e tjera të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit. Gjatë kontrolleve në disa pika exchange në qytet, rezultoi se këto biznese nuk deklaronin të ardhurat reale nga veprimtaria e tyre.

Në përfundim të hetimeve paraprake, janë proceduar penalisht administratorët e subjekteve: K. B., 65 vjeç, S. T., 56 vjeç, I. I., 64 vjeç, R. T., 59 vjeç, A. T., 66 vjeç, E. Z., 22 vjeç, N. B., 37 vjeç dhe Z. B., 40 vjeç, të gjithë banues në Elbasan.

Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 54 milionë lekë në valuta të ndryshme si lekë shqiptare, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paund britanik dhe lira turke. Po ashtu, në një prej subjekteve, konkretisht në atë të shtetasit A. T., u gjet dhe sekuestrua një armë sportive pistoletë me fishekë manovër.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit