Transmetuar më 29-07-2025, 18:36

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka reaguar me tone tejet kritike ndaj draftit të ri të Kodit Penal, duke e cilësuar si një nismë të nxituar, pa reflektim të thelluar shoqëror dhe me pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë në vend.

Çela shprehet gjithashtu se fryma e draftit të kodit të ri penal ka një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri, duke zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme.

Çela thekson se “përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim. Ai kujton se Kodi Penal në fuqi, që nga viti 1995, është përshtatur vazhdimisht me realitetin përmes ndërhyrjeve të shumta, ndaj nuk mund të pretendohet se është i vjetëruar apo i papërshtatshëm për kohën”.

Kritika për mungesën e konsensusit

Sipas Çelës, “drafti i ri nuk i ka paraprirë një proces reflektimi mbi vlerat që duhet të përfaqësojë një kod penal në një shoqëri demokratike. Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë”.

Në këtë kontekst, ai sjell në vëmendje shembullin e vitit 1995, “kur Shqipëria iu largua modelit autoritar të së kaluarës për të ndërtuar një sistem penal mbi vlera liberale dhe demokratike. Drafti aktual, sipas tij, nuk ka një pikënisje të tillë morale dhe nuk përfaqëson zhvillimin e vlerave shoqërore”.

“Procesi i konsultimit publik, i padobishëm”

Prokurori i Përgjithshëm e cilëson të papërshtatshme mënyrën si po operohet me miratimin e draftit, duke e konsideruar procesin e konsultimit publik si formal dhe të padobishëm për shkak të natyrës së ndërlikuar të një Kodi të ri Penal. Ai paralajmëron se propozimet e sjella krijojnë konfuzion për magjistratët, me norma të paqarta dhe me rrezik për interpretime të ndryshme në raste të ngjashme.

Sipas tij, edhe teknika ligjore e përdorur për ndërtimin e dispozitave e bën të pamundur korrigjimin gjatë procesit të konsultimit. Ai paralajmëron se tendenca për të shpjeguar çdo interpretim të mundshëm të normës ligjore, sjell pasoja në zbatimin praktik dhe e bllokon fleksibilitetin e sistemit.

“Kodi i ri ka frymë represive dhe cenon sigurinë juridike”

Një nga shqetësimet më serioze që ngre Çela ka të bëjë me zgjerimin e veprave penale dhe rritjen e masave të burgimit, që sipas tij përbën një tendencë represive me ndikim negativ në jetën e qytetarëve.

Çela paralajmëron se ka dispozita të draftit që bien ndesh me parimet e sigurisë juridike dhe të humanizmit. Paralajmëron pasoja afatgjata

Sipas Çelës, ashpërsimi i dënimeve penale nuk është përgjigjja për sfidat që kalon vendi, duke shtuar se Shqipëria tashmë ka një nga kodet më të ashpra në Evropë. Ai kujton se Prokuroria e ka mbajtur gjithmonë këtë qëndrim në proceset ligjbërëse.

Ai thekson gjithashtu se ndryshimet në Kodin Penal duhet të ecin paralel me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, për të ruajtur balancën mes normës materiale dhe asaj procedurale. Pa këtë qasje të bashkërenduar dhe vizionare, ndryshimet penale do të jenë të paefektshme. “Drejtësia është në krizë”

Prokurori i Përgjithshëm ngre shqetësimin për momentin e papërshtatshëm kur është sjellë drafti, duke theksuar se sistemi i drejtësisë po kalon një periudhë të vështirë, me mungesë stafi dhe mbingarkesë të jashtëzakonshme të dosjeve. Ai thekson se kjo gjendje ka bërë që magjistratët të mos përfshihen realisht në procesin e konsultimit, për shkak të pamundësisë fizike dhe kohore.

Për këtë arsye, ai mbyll reagimin e tij me një thirrje të qartë: “Më tepër se për një kod të ri penal, sot vendi ka nevojë urgjente për ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, për të korrigjuar gjërat që po shkojnë keq në funksionimin e tij dhe për të lehtësuar proceset nga burokracitë e panevojshme, që po ndikojnë në zvarritjen e hetimeve dhe gjykimeve”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit