Transmetuar më 29-07-2025, 18:04

Moskë- Kremlini reagoi shkurtimisht të martën ndaj deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë nëse Moska nuk bën përparim drejt një armëpushimi në Ukrainë brenda 10 ose 12 ditëve.

“Ne e kemi marrë parasysh deklaratën e djeshme të Presidentit Trump. Operacioni special ushtarak vazhdon”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu referuar luftës në Ukrainë me terminologjinë zyrtare të përdorur nga Moska.

Kujtojmë se Trump deklaroi gjatë një vizite të hënën në Mbretërinë e Bashkuar se “nuk ka arsye për të pritur më”, duke shprehur zhgënjimin ndaj Vladimir Putinit për mungesën e përparimit drejt një marrëveshjeje paqeje.

“Thjesht nuk shohim të bëhet ndonjë përparim”, tha ai, duke nënvizuar se ishte gjithnjë e më pak i interesuar të zhvillonte biseda të mëtejshme me liderin rus.

Trump ka pasur gjashtë telefonata me Putinin që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, por retorika e tij e fundit shënon një ndryshim të kursit të ndjekur. Ai paralajmëroi fillimisht më 14 korrik për masa ndëshkuese ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj ekonomikë brenda një periudhe 50-ditore, afat që do të përfundonte në fillim të shtatorit. Por deklarata e tij e fundit shkurton ndjeshëm këtë afat.

Ndërkohë, Peskov në përgjigjen e tij theksoi: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një procesi paqeje për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë dhe për të siguruar interesat tona gjatë kësaj zgjidhjeje”. Ai zgjodhi të mos i vazhdonte më tej komentet mbi ultimatumin e vendosur nga Trump.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit