

KOSOVË- Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkërendim me KFOR-in, kanë nisur operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy ditë më parë nga njëra nga urat e këtij liqeni dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të një mërgimtari, që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Deri tani, operacionet e kërkim-shpëtimit janë realizuar nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. Ndërkaq, pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman. Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028./REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






