Transmetuar më 28-07-2025, 19:58

Një ngjarje e dhunshme ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Vlorës, ku një 25-vjeçar është plagosur me thikë pas një konflikti të momentit për motive të dobta. Ngjarja ka ndodhur pas një sherri verbal mes një klienti dhe një kursanti në një berberhanë të qytetit.

Sipas informacioneve të para, konflikti verbal ka eskaluar, dhe klienti ka goditur kursantin me thikë në orarin e tij të punës, duke e lënë të plagosur. Pas incidentit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kursanti është transportuar menjëherë në spital.

Mjekët e spitalit të Vlorës kanë njoftuar se 25-vjeçari ka mbërritur në gjendje të vetëdijshme, dhe aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor.

Efektivët e Policisë së Vlorës kanë reaguar me shpejtësi, duke vendosur shiritin e sigurimit dhe duke nisur hetimet. Ata po zhvillojnë kontroll të plotë në një biznes të zonës, afër Aleksandrisë, pjesë e lagjes Pavarësia, dhe janë në kërkim të autorit të ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë të ditur se janë duke hetuar për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit dhe për të kapur personin përgjegjës për këtë akt dhune.

Vlorë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 19:00, në lagjen “Isa Boletini”, në një berberhanë, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Sh. S., 24 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin M. Sh., 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është shpallur në kërkim menjëherë pas ngjarjes.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit