Transmetuar më 28-07-2025, 14:52

Librazhd, 28 Korrik 2025 – Komisariati i Policisë Librazhd, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Partners in crime”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Tre shtetas janë arrestuar, mes tyre një çift që dyshohet për dy raste të vjedhjeve me dhunë ndaj të moshuarve, dhe një person i tretë që kishte blerë një celular të vjedhur nga ta.

Të arrestuarit: V. K., 32 vjeç, banues në Shkodër

M. K., 33 vjeçe, banuese në Tiranë (të dy për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim)

E. Sh., 40 vjeç, banues në Pogradec (për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave të vjedhura”)

Dinamika e ngjarjes: Sipas hetimeve, më 25 korrik 2025, dy të arrestuarit i kanë marrë me dhunë një 68-vjeçari portofolin me një shumë parash në fshatin Sheje. Viktima është dëmtuar lehtë.

Ndërsa më 27 korrik 2025, ata kanë ushtruar dhunë ndaj një 62-vjeçareje, duke i grabitur çantën dhe celularin. Edhe kjo shtetase është dëmtuar lehtë dhe ka marrë trajtim mjekësor në spitalin e Librazhdit. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Celulari i grabitur më pas është shitur nga autorët te shtetasi E. Sh., i cili është vënë gjithashtu në pranga.

Gjetjet dhe sekuestrimet: Gjatë operacionit janë sekuestruar si prova materiale:

4 celularë, nga të cilët 1 i blerë nga E. Sh. dhe 3 të dyshuar të vjedhur;

Çanta e vjedhur;

Automjeti që përdornin autorët, i marrë me qira nga V. K.;

Veshje dhe kapuç të dyshuar se janë përdorur gjatë ngjarjeve kriminale.

Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve dhe për të identifikuar raste të tjera të mundshme ku mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit