

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë për mediat u shpreh se ndryshimet në Kodin e ri Penal po rikthen nenin 55 të diktaturës komuniste. Berisha i cilësoi këto ndryshime si atentat ndaj fjalës së lirë dhe ndaj Kushtetutës.
Ai dha disa raste kur drejtësia ka bashkëpunuar me kriminelë duke u marrë ryshfet për të mos i dënuar. Berisha u shpreh se as Enver Hoxha nuk i dha një mbrojtje të tillë as ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë të regjimit komunist, Aranit Çela.
"Ky kod ka rikthyer nenin 55 të diktaturës komuniste. Imagjinoni ju tani, që në qoftë se ti thua se Irena Gjoka, me fakte, është një delinkuente, një kriminele, që ka fshehur krimet e saj, që është e dënuar me burg dhe që për shkak të këtij dënimi, ajo kurrë nuk mund të ishte magjistrate gjykatëse, por që e kanë futur si peng për ta keqshfrytëzuar në mënyrën më të egër.
Imagjinoni Altin Dumanin, i cili ka 3-4 shtëpi, tre apartamente dhe banon te shtëpia e vjehrrit.Thotë është e vjehrrit, po a hajde a është a nuk është, si e ndërtoi vjehrri është punë tjetër. I cili mban në dosjen e tij dokumentet zyrtarë që faktojnë se Taulant Balla është bashkëpunëtor kryesor i bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje dokumente që faktojnë se prokurorë të SPAK janë bashkëpunëtorë të bandës së Elbasanit. I cili mban në dosje emra që kushëriri i tij i ka denoncuar se nxirrte në pritë rivalët, siç është Shpataraku.
Pra, Altin Dumani, i cili thuhet kundër një ryshfeti 700 mijë euro nuk dënoi për rastin e Jan Prengës, Altin Hajrin dhe që tani së fundmi fshehu për javë të tëra mandatin e arrestit të Troplinëve. Pra, në qoftë se ti guxon dhe ia thua publikut këto, dënohesh. Një mbrojtje të tillë, Enver Hoxha nuk ia ka dhënë kurrë Aranit Çelës. Një mbrojtje të tillë, ky është një atentat i rëndë në themelet e fjalës së lirë dhe të transparencës.
Imagjinoni ju, ky njeri që shëtiti dy vjet duke marrë peng qeveritarë dhe duke kërkuar që të ndryshojë Kushtetuta për mandatin e tij, ka arritur me Edi Ramën dhe Ulsiun e kostumeve të Altin Hajrit, e 600 mijë eurove të çantës Louis Vouitton, të fusë nenin po fole për gjykatësit, dënohesh kaq dhe aq vite. Atentat i rëndë ndaj fjalës së lirë, ndaj medieve. Atentat i rëndë ndaj Kushtetutës. Edi Rama tregoi se çdo ditë shpalos shpirtin katran të babait të tij xhelat, babait të tij biologjik xhelat që firmoste për varjen në litar të atyre që shkruanin kundër pushtetit të tij," tha ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






