

Pogradec, 28 Korrik 2025 – Trupi i pajetë i Kozeta Teços, 52 vjeçe, është gjetur i djegur në banesën e saj, me shenja të dukshme dhune dhe plagë të shkaktuara nga një mjet prerës. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ngjarja makabre është kryer nga Ilirjan Selmani, një i ri nga Pogradeci, me të cilin viktima dyshohet të ketë pasur një lidhje intime.
Policia bën me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja mbytjeje dhe dëmtime të shumta, duke ngritur dyshime të forta për vrasje me dashje. Autori i dyshuar ka tentuar të zhdukë gjurmët e krimit duke pastruar vendin e ngjarjes dhe duke ndezur disa vatra zjarri në ambientet e banesës.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në koshin e mbeturinave pranë pallatit ku jetonte viktima, janë gjetur peshqirë dhe kartpeceta të njollosura me gjak. Sipas policisë, ato dyshohet të jenë përdorur nga autori për të pastruar gjurmët dhe për të humbur provat materiale të krimit.
Pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përballë vendit të ngjarjes kanë luajtur një rol kyç në identifikimin e autorit të dyshuar, i cili tashmë është shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme. Për të dokumentuar ngjarjen dhe për të konfirmuar versionin e ngjarjes, policia ka kryer një eksperiment hetimor në vendin e krimit me pjesëmarrjen e të dyshuarit.
Megjithatë, pas përfundimit të eksperimentit hetimor, Ilirjan Selmani ka mohuar përfshirjen e tij në vrasje.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për përcaktimin e motivit që dyshohet se çoi në këtë akt ekstrem.
Pogradec/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë për zjarrin e rënë në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., e cila humbi jetën, bëjmë me dije se:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ngriti një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë dhe veprime eksperimentale, për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rënies së zjarrit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së shtetases K. T., 52 vjeçe.
Nga tërësia e veprimeve të kryera deri tani dyshohet se zjarri në banesën e 52-vjeçares është shkaktuar nga një shtetas.
Bazuar në provat e siguruara, shërbimet operacionale të DVP Korçë kanë shoqëruar disa shtetas, në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec, ndërmjet tyre edhe autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Veprimet hetimore vijojnë dhe në përfundim do të japim informacion të plotë në lidhje me këtë ngjarje.




Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






