

Pogradec – Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm qytetin e Pogradecit, ku një grua 52-vjeçare u gjet e pajetë në banesën e saj në lagjen nr. 1, e cila ishte përfshirë nga flakët. Viktima është identifikuar si Kozeta Teço.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të jetë e qëllimshme, me autoritetet që po e trajtojnë rastin si të mundshëm kriminal. Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, ekspertët mjeko-ligjorë kanë konstatuar shenja të dukshme dhune, duke ngritur dyshime të forta për një akt vrasjeje.
Sipas të dhënave të para, pista kryesore e hetimit është ajo e një konflikti për motive pronësie, që mund të ketë çuar në vrasjen e 52-vjeçares dhe më pas në djegien e banesës, ndoshta për të fshehur gjurmët.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit/autorëve të mundshëm.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






