Transmetuar më 27-07-2025, 19:56

TIRANA- Media italiane “Il Fatto Quotidiano” i ka kushtuar një artikull çështjes së ndërtimeve në Tiranë duke përmendur edhe "miqësinë" mes kryeministrit Edi Rama dhe arkitektit Stefano Boeri. Në artikull shkruhet se Tirana është mbushur me kulla dhe se deri në vitin 2030 Tirana duhet të zbatojë një një plan urbanistik që parashikon të ndërtojë gradaçela dhe blloqe me qindra mijëra m².

Media italiane thekson se në Tiranë mungojnë hapësirat publike, parqet, shkollat, transporti publik i besueshëm. Gjithashtu në artikull përmendet se projektet e mëdha si Tirana Riverside apo zona të tjera si ish-Fusha e Aviacionit, janë kthyer në kantiere të mëdhenj ndërtimi që përfitojnë nga ky plan. Artikulli vë në dyshim funksionin real të këtij modeli zhvillimi urban për qytetarët e Tiranës.

Artikulli i plotë nga Il Fatto Quotidiano”:

Arkitekti i famshëm (archistar) ka projektuar për mikun Edi Rama planin e qytetit dhe 4 zona për privatët: miliona metra katrorë beton, pak gjelbërim dhe hapësira publike, shumë fitime për tregun e pasurive të paluajtshme.

“Tirana Riverside”, “Capitol Residences”, “Downtown One”, “MET Building”… emrat tingëllojnë si një përzierje mes planifikimit urban dhe marketingut elitar. Janë ndër projektet më të mëdha të zhvillimit urban të planit Tirana 2030 (që duhet të përmbyllet në atë vit), por që kanë nisur të marrin formë veçanërisht gjatë pandemisë së Covid-it.

Në qytet, ndërkohë, mungojnë hapësirat e përbashkëta, hapësirat publike, gjelbërimi, dhe transporti publik nuk është i sigurt apo i qëndrueshëm. Por gjithsesi, këto ndërtime vazhdojnë, dhe ndonjëherë edhe mbështeten nga fonde publike.

Kush përfiton nga kjo? Sigurisht ndërtuesit. Kush humb? Banorët. Dhe pyetja që shtrohet është: për kë po ndërtohet Tirana e re? “Për banorët e ardhshëm që, sipas planit, do të jenë 1.6 milionë” – thonë autoritetet.

Por tani për tani, këtu jetojnë vetëm rreth 590 mijë banorë. Nuk është çudi që shumë ndërtesa të reja janë të zbrazura, shumë apartamente nuk janë të banuara. Ndërtohet për tregun, jo për njerëzit.

Në këtë kontekst, për t’u përmendur është roli i arkitektit italian Stefano Boeri, autor i planit “Tirana 2030”, por edhe pjesëmarrës në disa prej garave për ndërtimin e pallateve. Boeri ka marrë pjesë në disa prej garave publike (së bashku me SON Engineering & Construction Group) për projektet e reja të ndërtimit në zona të mëdha urbane të Tiranës, si ajo e Fushës së Aviacionit.

Kjo përfshin, për shembull, ndërtimin e disa miliona metrave katrorë sipërfaqe ndërtimi në qendra të reja banimi. Një pjesë e vogël e sipërfaqes do të jetë për gjelbërim apo shërbime publike, pjesa tjetër – për shitje të lirë në treg. Në realitet, hapësirat publike janë shpesh vetëm në letër. Në shumë raste, ajo që quhet “parqe” janë thjesht hapësira mes dy grataçelave, ndërsa mungojnë shërbime të nevojshme si shkolla, çerdhe apo transport i mirë.

Në këtë mënyrë, ndërtimi duket se ndjek një logjikë spekulative, e jo të nevojave reale të popullsisë. Tirana nuk po rritet për njerëzit që jetojnë në të, por për të prodhuar fitim për pasuritë e paluajtshme. Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Stefano Boeri-t është e gjatë. Që në vitin 2005, kur Boeri botoi një artikull për Rilindjen Urbane dhe e përmendi Ramën si një lider “vizionar”, dyshja kanë punuar së bashku në disa projekte.

Në 2016-ën, kur u prezantua plani “Tirana 2030”, Boeri ishte aty si autor kryesor i projektit. Ndërkohë, studioja e tij ka fituar disa projekte edhe për ndërtime private në qytet. Në fund, mbetet pyetja: A është ky një model i drejtë urban për qytetin? Apo një projekt për të pasurit, ndërsa shumica e popullsisë përjashtohet nga Tirana e së ardhmes?/Përshtati Lapsi.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit