

Me plot 2 milionë lekë të vjetra është gjobitur një lokal në plazhin e Dhërmiut, për shkak të muzikës mbi normat e lejuara.
Policia ka shpërndarë një video, ku efektivi i afrohet lokalit me muzikë “live”, me një instrument të matjes së nivelit të zërit.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle në të gjithë territorin e qarkut, për parandalimin dhe evidentimin e ndotjes akustike.
Prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara, në një beach bar në Dhërmi, gjobitet me 200 000 lekë administratori i subjektit.
Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, më datë 26.07.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në një beach bar, në Dhërmi, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Në përfundim, ndaj administratorit të këtij subjekti, shtetasit E. P., u vendos masë administrative me vlerë 200 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






