Transmetuar më 27-07-2025, 13:37

LEZHË- Një 39-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi lëvizte me motomjet pa targa, i armatosur me armë zjarri automatike gati për qitje. Në pranga është vënë shtetasi Arben Leka, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar pas ndalimit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak dhe motomjeti pa targa me të cilin lëvizte shtetasi.

NJOFTIMI I POLICISË:

Lezhë / Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”.

Arrestohet në flagrancë 39-vjeçari që qarkullonte me motomjet pa targa, i armatosur me armë zjarri automatike me fishek në fole, gati për qitje.

Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak, si dhe motomjeti me të cilin qarkullonte i arrestuari.

Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas marrjes së një informacioni në rrugë operative, se një shtetas i armatosur po lëvizte me motomjet në fshatin Dajç, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje kriminale për shkak të një konflikti të mëparshëm, organizuan punën dhe ndërhynë menjëherë për neutralizimin e situatës.

Shërbimet e Policisë lokalizuan motomjetin pa targa ku drejtuesi i tij tentoi të largohej, por u neutralizua me profesionalizëm nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak dhe motomjeti pa targa me të cilin lëvizte shtetasi. Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. L., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit