Transmetuar më 27-07-2025, 12:37

Durrës – Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion të koduar “Gjuetari”, i ndjekur me metoda speciale hetimore, që çoi në arrestimin e një 46-vjeçari i cili kishte trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion një vajzë të re me shtetësi ruse.

Në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Klodian Domi, 46 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës.

Sipas hetimeve, Domi kishte mashtruar një 20-vjeçare ruse duke i premtuar punësim si kameriere, por më pas e kishte futur ilegalisht në Shqipëri nga Podgorica, në tetor të vitit 2023. Pasi e kishte izoluar, ai e kishte dhunuar dhe kërcënuar, duke e shfrytëzuar për prostitucion për një periudhë prej afro dy vitesh.

Vajza është detyruar të ofrojë shërbime seksuale në hotele të ndryshme, kundrejt pagesave që varionin nga 250 deri në 300 euro për klient. Paratë përfitoheshin tërësisht nga Domi.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

Një armë gjahu teke, marka “KralArms”

Dy palë dylbi

Tre aparate celularë

Gjithashtu, është shpallur në kërkim një tjetër person i dyshuar si i përfshirë në këtë rrjet shfrytëzimi, shtetasi E. S., 39 vjeç, banues në Durrës.

Ndaj të ndaluarit Klodian Domi rëndojnë akuzat për disa vepra penale, përfshirë:

“Shfrytëzimi i prostitucionit”

“Prostitucioni”

“Përshtatja e ambienteve për prostitucion”

“Trafikimi i personave të rritur”

“Dhuna në familje”

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia e Shtetit thekson se do të vijojë pa ndërprerje operacionet për goditjen e trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të individëve për prostitucion, duke bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët për raportimin e çdo rasti të dyshuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit