

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë sot një zonë me bimësi të ulët në Parkun Kombëtar të Prespës, duke vënë në alarm autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës. Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, ka deklaruar se ndërhyrja për fikjen e flakëve ka nisur menjëherë pas njoftimit, por përhapja është favorizuar nga moti i thatë dhe era.
“Që në momentet e para ka pasur reagim të shpejtë, por moti dhe kjo thatësirë e madhe kanë ndikuar në përhapjen e flakëve”, tha Kolefski.
Sipas tij, ndërhyrja është bërë e vështirë për shkak të terrenerit të thepisur dhe mungesës së rrugëve kaluese, ndërsa zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme, për të cilën ende nuk ka një vlerësim zyrtar.
Në operacion janë përfshirë zjarrfikësit e Pustecit dhe të Bashkisë Pogradec, si dhe punonjës të zonave të mbrojtura dhe shërbimeve civile. Kolefski konfirmoi se puna për shuarjen e plotë të flakëve do të vijojë sërish në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pasi specialistët kanë vlerësuar se ndërhyrja do të jetë më efikase në ato kushte.
“Ne jemi duke përgatitur një plan për ndërhyrje të koordinuar që në orët e para të mëngjesit. Besojmë se atëherë kushtet do të jenë më të favorshme për të ndërhyrë në mënyrë më efektive”, theksoi ai.
Për sa i përket shkakut të zjarrit, autoritetet ende nuk kanë dalë me një përfundim. Dyshohet si një rast pakujdesie apo zjarrvënie e qëllimshme, por hetimet janë në vijim.
🟠 Ky është një ndër zjarret më problematikë që ka përfshirë këtë verë territorin e Parkut Kombëtar të Prespës, një zonë me rëndësi të lartë ekologjike dhe biodiversitet të pasur.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






