Transmetuar më 26-07-2025, 19:20

Selcë, 26 korrik 2025 – Në zonën arkeologjike A të varreve ilire në Selcë janë konstatuar gërmime të paligjshme nga persona të paidentifikuar, të cilët po kërkojnë objekte me vlerë arkeologjike ose metale të çmuara. Një banor i zonës ka denoncuar në polici hapjen e gropave, ndërsa nga kontrolli i terrenit janë zbuluar tre gropa të mëdha.

Arkeologët e lidhin këtë incident me aktivitetin e individëve që kanë njohuri të thella në fushën e arkeologjisë, duke theksuar se gërmimi është kryer nga një "germues klandestin". Florenc Cenolli, një nga arkeologët më të njohur, theksoi se kjo është një veprim i përgatitur dhe realizuar nga profesionistë.

“Për fat të keq, kemi të bëjmë me një germues klandestin. Këto janë gërmime të paligjshme dhe ndodhin brenda zonës arkeologjike të varreve monumentale të Selcës. Autoritetet janë njoftuar dhe është e nevojshme një reagim i shpejtë,” tha Cenolli.

Sipas arkeologëve, gërmimet kanë ndodhur kohët e fundit dhe, për shkak të natyrës së këtyre aktiviteteve, është e mundur që individët të kenë vepruar për ditë të tëra pa u vënë re.

Në reagimin e saj, policia e Pogradecit ka theksuar se gjatë kontrolleve të fundit në territor nuk është konstatuar asnjë zonë e gërmuar, megjithatë arkeologët kërkojnë masa më të rrepta mbikëqyrjeje, veçanërisht gjatë natës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit