

Shëngjin– Reagimi i shpejtë dhe profesional i Policisë ka bërë të mundur gjetjen e një vajze 9-vjeçare nga Kosova, e cila ishte larguar nga prindërit dhe humbi kontaktet me ta në plazhin e Shëngjinit.
Salla Operative e DVP Lezhë mori një njoftim urgjent nga një familje pushuesish kosovarë, të cilët raportuan se vajza e tyre ishte larguar dhe nuk po mund të gjendej. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit u angazhuan menjëherë në kërkime intensive.
Falë reagimit të menjëhershëm, punonjësit e Policisë gjetën vajzën e mitur dhe, pasi konfirmuan se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ia dorëzuan familjes së saj.
Prindërit e vajzës shprehën mirënjohjen e tyre për shërbimet e Policisë për reagimin e shpejtë dhe për kujdesin e treguar gjatë kërkimeve.
Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga pushuesit për të siguruar sigurinë e fëmijëve, duke i inkurajuar ata të mbajnë një vëmendje të vazhdueshme ndaj tyre gjatë pushimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






