

SPAK ka dhënë informacion zyrtar për trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë.
Sipas SPAK, rrjeti ndërkombëtar ka trafikuar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro. 16 persona janë nën hetim.
Vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosman, Ermir Ndreaj pronar i disa kompanive, si dhe Ilir Lloshi u arrestuan përkatësisht në Palasë dhe Elbasan.
Plarent Dervishajt dhe Erion Alibejt, iu komunikuan akuzat në ambientet e paraburgimit, ku mbahen për vepra të tjera të rënda penale, si vrasje dhe atentate mafioze.
Goditja e grupit erdhi pas zbërthimit të qindra komunikimeve në Sky ECC por dhe dëshmisë e të penduarit Erion Alibej, i njohur me nofkën “Krymi”.
Sakaq, Policia e Shtetit ka ndarë pamjet e aksionit të zhvilluar për arrestimin e disa prej tyre, si dhe sekuestrimin e shumave të mëdha të parave dhe sendeve luksoze.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni “OROLOGI”
Ekzekutohen 6 masa sigurie.
Sekuestrohen armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.
Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasit:
A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë. E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë. P. D., 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë. K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë. E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë. I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.
Ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.
Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:
3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a dhe një Volkswagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






