Transmetuar më 26-07-2025, 18:30

Dy shoferë nga Maqedonia e Veriut janë gjobitur me nga 600 mijë lekë të vjetra, pasi u filmuan duke kryer manovra të rrezikshme në bajpasin e Vlorës.

Policia ka arritur t’i identifikojë pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ku dalloheshin makinat luksoze duke kryer parakalime të rrezikshme.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqen dy automjete duke kryer manovra të rrezikshme në aksin rrugor Vlorë–Orikum, në segmentin e quajtur “Bypass”, ju informojmë se:

Pas verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore Vlorë, rezultoi se drejtuesit e këtyre automjeteve kanë kryer disa shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si më poshtë:

• Nuk kanë rregulluar shpejtësinë në kthesa me fushëpamje të kufizuar;

• Kanë zhvilluar gara shpejtësie me njëri-tjetrin, duke vënë në rrezik përdoruesit e tjerë të rrugës;

• Nuk kanë ruajtur pozicionin e mjetit në karrexhatë;

• Kanë kryer parakalim në kthesë, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor. Për këto shkelje të konstatuara, bazuar në dispozitat e VKM nr. 153, neni 350, si dhe në nenet përkatëse të Kodit Rrugor, ndaj dy pronarëve të automjeteve, shtetas nga Maqedonia e Veriut, është vendosur masë administrative me vlerë 62 000 lekë secilit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe konform ligjit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit