

Një person i tretë është arrestuar nga policia për vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama në Fier, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë.
I arrestuari është Çlirim Dogani 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj të Roskovecit.
Sipas policisë, 55-vjeçari Dogani akuzohet se ka bashkëpunuar me Ermalinda Ramën 26 vjeç për të mbytur për vdekje me tel babain e saj Anesti Rama, si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Pas krimit, policia arrestoi menjëherë vajzën vrasëse Ermalinda Rama si autore, dhe nënën e saj Valbona Rama, si bashkëpunëtore në krim që ndihmoi për të inskenuar ngjarjen si aksidentale.
Njoftimi i Policisë Fier:
Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.
Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






