

Prishtinë- Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në një tjetër përpjekje për ta konstituar legjislaturën e re. Seanca mësohet se do të nisë në orën 14:00. Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 52 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe partia më e madhe e serbëve në Kosovë nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit është jokushtetuese.
Dje diplomatët perëndimorë ishin të pranishëm në seancë por dolën të zhgënjyer dhe paralajmëruan politikanët se vendit po futet në një territor të panjohur. Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara. Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme. Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit po afron dita-ditës.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh nëse partitë nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, por situata nuk ka ndryshuar. Ajo që është ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë nesë edhe tentativa e sotme, e fundit nuk sjell asnjë rezultat.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






