Transmetuar më 25-07-2025, 23:04

Tiranë, 25 Korrik 2025, ora 22:30 – Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, me termometrin që sot arriti në 40°C, kanë vënë në provë serioze rrjetin energjetik. Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe mbingarkesës së pajisjeve, një zjarr ka rënë në transformatorin e fuqisë 110/10 kV të nënstacionit elektrik Ibë në Tiranë.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka bërë të ditur se falë reagimit të shpejtë të brigadave të zjarrfikëses dhe stafit teknik të drejtorisë së Tensionit të Lartë, zjarri është neutralizuar në kohë, duke shmangur përhapjen dhe duke minimizuar dëmet. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar nga ngjarja.

Si pasojë e stakimit të nënstacionit, u ndërpre përkohësisht furnizimi me energji elektrike në zonat Bërzhitë, Mullet, Baldushk, Ibë dhe Krrabë. Megjithatë, në disa prej këtyre zonave energjia është rikthyer brenda një kohe të shkurtër përmes lidhjeve alternative në unazë me fidera të tjerë që dalin nga nënstacioni Farkë.

OSSH njofton se grupet e punës janë shtuar në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë për të rikthyer normalitetin sa më shpejt. Kompania konfirmon se angazhimi do të vijojë pa ndërprerje gjatë natës, deri në zgjidhjen e plotë të avarisë.

Në kushtet e rritjes së temperaturave dhe rrezikut nga zjarret, OSSH ka rritur gatishmërinë në shkallë vendi. Në disa raste, për arsye sigurie, energjia është stakuar në mënyrë të kontrolluar në zona të caktuara të prekura nga flakët.

OSHEE Group kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve për ndërprerjet e energjisë, të shkaktuara nga faktorë natyrorë, dhe thekson se është maksimalisht e angazhuar për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm në të gjithë vendin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit