Transmetuar më 25-07-2025, 21:02

Delvinë, 25 Korrik 2025, ora 20:37 – Një zjarri i fuqishëm ka përfshirë sot fshatin Senicë në rrethin e Delvinës, duke shkatërruar disa banesa dhe duke rrezikuar jetën e banorëve. Ndër dëmet më të mëdha është edhe djegia e kishës historike “Shën Dhimitri”, e ndërtuar në vitin 1826, një humbje e rëndë për komunitetin lokal.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë rrënojat e kishës, me tulla të thyera dhe dëmtime të mëdha strukturore, dëmtim i cili vështirë të rikuperohet për shkak të moshës së madhe të objektit.

Kryeplaku i fshatit Senicë, Llambi Nika, bëri një bilanc të situatës, duke njoftuar se deri tani janë regjistruar dhjetë banesa të djegura, ndërsa numri i dëmeve mund të rritet pasi evidentimi i plotë është ende në proces.

“Bilanci është shumë i rëndë, përveç dëmeve ekonomike ka ndodhur edhe një dëm i madh shpirtëror me djegien e kishës Shën Dhimitri. Është një humbje që nuk ka ndodhur në asnjë periudhë tjetër dhe ne jemi mobilizuar të gjithë për të ndihmuar”, tha Nika. Ai shtoi se nga java tjetër do të nisë evidentimi i plotë i dëmeve në banesa, ullishte dhe pemtari, dhe më pas do të kërkohet ndihma nga institucionet përkatëse.

Situata e zjarreve në rrethin e Delvinës mbetet kritike, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë edhe me helikopterë për të kontrolluar vatrat e zjarrit. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të tre fshatrave Palavli, Vergo dhe Kopaçëz për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit