

Londër- Ministri britanik Peter Kyle deklaroi se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbetet e përkushtuar për të njohur shtetin palestinez, por nuk dha një afat kohor për këtë hap, duke theksuar se sovraniteti duhet të jetë “i zbatueshëm në momentin e shpalljes së shtetësisë”.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi Franca njoftoi se do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtator.
Franca deklaroi se do të njohë shtetin palestinez, Izraeli dënon planin: Shpërblen terrorin! I pyetur nga “BBC” nëse Mbretëria e Bashkuar do të ndjekë shembullin e Francës, Kyle u përgjigj se prioriteti aktual është emergjenca humanitare në Gaza dhe nevoja për të siguruar “ushqim në pjatat e njerëzve”.
Ai shtoi se kryeministri britanik do të zhvillojë një takim me liderët e Francës dhe Gjermanisë për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme.
“Është një angazhim i këtij qeverie, i përfshirë në manifestin tonë, që duam të ndihmojmë në krijimin e shtetësisë për Palestinën. Kjo duhet të ndodhë në mënyrë që fuqizon popullin palestinez dhe sjell paqe e stabilitet afatgjatë. Po kërkojmë një armëpushim, dhe më pas do të bëjmë gjithçka që mundemi nga pozita e një mbështetësi për rajonin, për të krijuar kushtet që do të çojnë drejt negociatave për shtetësinë e Palestinës dhe sigurinë që i duhet rajonit”,– tha ai.
Kjo deklaratë e qeverisë britanike vjen në një kohë kur presioni ndërkombëtar për një zgjidhje politike dhe njohje të shtetit palestinez po rritet ndjeshëm, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Rripin e Gazës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






