

FIER- Ferdinant Rama, vëllai i 56-vjeçarit që u vra nga e bija në Fier, ka folur për mediat lidhur me ngjarjen e rëndë. Ai ka treguar se Anesti nuk shkonte mirë më gruan sepse ajo nuk e donte. Rama tha se çifti kishin dy vajza, ndërsa shtoi se lajmin e kishte mësuar nga kunata. Ai u shpreh më tej se kishte mbi dy vite që nuk fliste me të vëllanë sepse nuk e lintë gruaja.
“E kemi ditur dhe më përpara, nuk shkonin, ajo thoshte nuk e dua burrin. Thoshte merreni dhe mbajeni ju, merrni pensionin e bëni çfarë të doni, unë nuk e dua. Çifti ka dy fëmijë, dy vajza. Unë e mësova nga kunata, lajmëroi gruan time e mori në telefon edhe tha që ka vdekur Anesti. Kam rreth 2 vjet e gjysmë që nuk flisja me vëllanë, se nuk na linte ajo të llafoseshim. E dija që nuk shkonin mirë. Pyesja vëllain tjetër, i them si është Anesti”, ka treguar Ferdinant Rama.
26-vjeçarja, Emanilda Rama është arrestuar ditën e sotme pasi akuzohet se ka mbytur me tel babanë e saj, 56-vjeçarin, Anesti Rama. Ngjarja ishte kallëzuar nga vajza fillimisht në polici si aksidentale, ndërsa pas veprimeve hetimore u zbulua se autorja ishte vetë ajo. Kjo e fundit më pas ka pranuar krimin dhe është shprehur se e ka vrarë sepse i ati ishte fanatik dhe nuk e linte të vishej si donte ajo apo të dilte. E reja ishte ndarë nga partneri pak kohë më parë dhe jetonte me prindërit. Ndërkohë në polici është shoqëruar dhe Valbona Rama nëna e vajzës, pasi akuzohet se ka pastruar trupin e viktimës, me qëllim inskenimin e vrasjes si aksidentale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






