Transmetuar më 24-07-2025, 12:31

TIRANË- Gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë ende aktive dhe 3 janë në monitorim. Situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse. Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore. Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin

Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Megjithë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot. Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi” , ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh. Sot vijon puna për shuarjen e zjarrit.

Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën. Sot në terren pritet të operojnë 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 40 automjete zjarrfikëse, 776 forca operacionale nga strukturat vendore dhe qendrore

Gjatë ditës së djeshme morën pjesë në operacione: 345 forca nga Forcat e Armatosura (FA), me 3 mjete dhe 3 helikopterë, 1 avion Canadair i ardhur nga shteti kroat, 2 helikopterë për misione rikonjicioni nga Hungaria. Për ditën e sotme, janë në vijim të operacioneve: 215 efektivë të FA, 1 helikopter nga FA, 1 avion Canadair kroat, 2 helikopterë hungarezë, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit