Transmetuar më 23-07-2025, 21:40

Në 48 orët e fundit, strukturat policore në Sarandë janë vënë në gjendje gatishmërie të plotë.

Në mëngjesin e 23 korrikut, forcat speciale "Renea" realizuan një operacion masiv, duke kontrolluar nga deti dhe toka disa prej zonave periferike të braktisura, me qëllim kapjen e të paktën 5 personave të kërkuar. Një prej tyre, ende i paidentifikuar, është i përfshirë në dy ngjarje me përdorim të armëve të zjarrit dhe një tjetër me shpërthim eksplozivi, gjatë një periudhe 5-ditore.

Ndërkohë, mbrëmjen e 23 korrikut, dy automjete civile me efektivë nga operacionalja e Vlorës, siç duket edhe në pamjet që sjell BalkanWeb, realizuan ndalime të makinave të rastësishme në akset më turistike të Sarandës dhe Ksamilit.

Komisariati i Sarandës po përpiqet të përballojë individë të armatosur, duke operuar me burimet e një komisariati të vogël. Krimet e rënda dhe ato të krimit të organizuar, tashmë janë të trajtuara nga Drejtoria e Vlorës, e cila ka më shumë buxhet, specialistë dhe teknologji për të goditur këto grupe.

Problemet janë thelluar për shkak të ndryshimit të strukturës në një komisariat që mbulon të paktën 4 bashki. Kjo ka shtuar një ngarkesë të madhe për një strukturë të vogël, duke e vështirësuar menaxhimin dhe përgjigjen ndaj krimeve të zakonshme.

Fokusimi i efektivëve të Komisariatit në ngjarje të rënda ka lënë zbuluar menaxhimin e trafikut, organizimin e plazheve dhe trajtimin e konflikteve të vogla, që mund të kenë pasoja më të mëdha në të ardhmen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit