

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të vizitojnë Kinën të enjten më 24 korrik për të marrë pjesë në Samitin e 25-të Kinë–BE, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme kineze në Pekin. Gjatë vizitës, ata do të zhvillojnë edhe një takim me Presidentin Xi Jinping, njoftoi të hënën në Pekin Ministria e Jashtme kineze.
Ministria tha gjithashtu se kryeministri kinez Li Qiang dhe liderët e BE-së do të kryesojnë së bashku Samitin e 25-të Kinë-BE.
Duke dhënë hollësi mbi samitin e ardhshëm në një konferencë shtypi, zëdhënësi i diplomacisë kineze, Guo Jiakun, u shpreh se, ndërsa ndryshimet e papara në një shekull po përshpejtohen, në sfondin e një bote të trazuar, dhe unilateralizmi e praktikat e ngacmimit u kanë dhënë një goditje të rëndë rendit dhe rregullave ndërkombëtare, njerëzimi ndodhet përsëri në një pikë kritike.
Si dy forca kryesore në ndërtimin e një bote shumëpolare, dy tregje të mëdha që mbështesin globalizimin dhe dy qytetërime të mëdha që nxitin larminë kulturore, Samiti Kinë-BE ka një rëndësi të madhe dhe tërheq vëmendje ndërkombëtare, vuri në dukje Guo.
Gjatë mbi gjysmëshekullit të kaluar, pavarësisht sfidave e vështirësive, lidhjet Kinë-BE janë bërë më të pjekura e më të qëndrueshme, duke u shndërruar në një nga marrëdhëniet dypalëshe me ndikim më të madh në botë, tha ai.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze, Guo Jiakun/Foto: Ministria e Jashtme e Kinës
Zëdhënësi shtoi që bashkëpunimi ndërmjet të dy palëve ka pasur rezultate të frytshme, duke i dhënë shtysë zhvillimit e përparimit të njëri-tjetrit, duke sjellë përfitime konkrete për gati 2 miliardë banorë të Kinës e vendeve të BE-së, duke kontribuuar ndjeshëm në paqen e zhvillimin botëror dhe duke krijuar një shembull të bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë në epokën e globalizimit ekonomik.
Guo tha se në 50 vjetët e fundit, vëllimi vjetor i tregtisë Kinë-Evropë ka arritur nga 2.4 miliardë në 785.8 miliardë dollarë amerikane, kurse vlera e investimeve dypalëshe është ngritur nga pothuajse zero në 260 miliardë dollarë.
Ai theksoi shtimin e shkëmbimeve njerëzore dhe bashkërendimin e bashkëpunimin efektiv në reagimin ndaj ndryshimeve klimatike e në fusha të tjera.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






