

Britania e Bashkuar, nga dita e nesërme (23 Korrik) do të nisë të aplikojë sanksionet e para kundër bandave përgjegjëse për kontrabandimin e emigrantëve.
Ata do të përballen me ngrirje të aseteve, përjashtim nga sistemi financiar britanik dhe ndalim udhëtimi drejt MB-së.
Masat vijnë në kuadër të një regjimi të ri që ka si objektiv të ardhurat dhe materialet që mundësojnë migrimin e parregullt.
Sanksionet e reja janë mjeti më i fundit në arsenalin e MB-së për sigurimin e kufijve, pakësimin e migrimit të parregullt dhe zbatimin e Planit për Ndryshim.
Çdokush që ndihmon në kontrabandimin e njerëzve drejt MB-së do të rrezikojë ngrirjen e aseteve të tyre dhe ndalimin e udhëtimit drejt Britanisë, sipas kompetencave të reja të shpallura sot nga Ministri i Jashtëm [e martë, 22 korrik].
Nesër e mërkurë, 23 korrik, FCDO do të vendosë grupin e parë të sanksioneve ndaj bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të parregullt drejt MB-së, si dhe ndaj mundësuesve të tyre, si financuesit dhe kompanitë e përfshira në shitjen e pajisjeve për varka të vogla.
Këto plane janë një shembull kryesor i përdorimit të qasjeve novatore të politikës së jashtme nga FCDO për të realizuar “Planin për Ndryshim” për popullin britanik. Ky regjim do të jetë i pari në botë i kushtuar goditjes së kontrabandimit të njerëzve dhe krimit të organizuar të migracionit, ku njerëzit vulnerabël shfrytëzohen nga kriminelët dhe rrjetet e tyre, një nga shtytësit kryesor të migrimit të parregullt drejt MB-së. Migrantët që paguajnë kontrabandistët përballen gjithashtu me rrezikun e lartë të punuarit në kushtet e skllavërisë moderne, kthimit në vendin e origjinës ose humbjes së jetës në det.
Sanksionet mund të ndërpresin rrjedhën e parave dhe materialeve, përfshirë ngrirjen e pronave, llogarive bankare dhe aseteve të tjera, që i mundësojnë bandave të organizuara kriminale të lehtësojnë migrimin e parregullt drejt MB-së. Sanksionet janë hartuar për të goditur individë kudo në botë, të cilët do të shpallen publikisht në mënyrë që të jetë e paligjshme për sistemin financiar britanik të bashkëpunojë me ta.
Si pjesë e “Planit për Ndryshim” dhe qasjes së udhëhequr nga misioni, FCDO ka punuar ngushtë me hetuesit e Agjencisë Kombëtare të Krimit, Komandën për Sigurinë Kufitare dhe partnerë të tjerë kyç për identifikimin e objektivave me më shumë ndikim, me sanksionet e para të planifikuara për nesër.
Objektivat e parë të synuar do të përfshijnë një mori shkeljesh, nga furnizimi me varka të vogla për kalime nëpër Kanal, në tregtinë me pasaporta të falsifikuara, si dhe ndërmjetësimi i pagesave përmes rrjeteve Hawala, e deri te vetë udhëheqësit e bandave.
Ky regjim do të plotësojë kompetencat e reja ligjzbatuese që po prezantohen në Projektligjin për Kufijtë, Sigurinë, Azilin dhe Emigracionin, duke siguruar që të kemi mjetet më të gjera të mundshme për të goditur bandat. Sanksionet mund të përdoren për të goditur bandat e krimit të organizuar të migracionit dhe mundësuesit e tyre, kudo qofshin, përfshirë kur qasjet tradicionale ligjzbatuese dhe të drejtësisë penale nuk arrijnë. Kontrabandimi dhe trafikimi i njerëzve janë sfida për sigurinë botërore, dhe Qeveria po punon për të forcuar marrëdhëniet me partnerët kyç, përfshirë BE-në, për t’i siguruar më mirë kufijtë e MB-së.
Ministri i Jashtëm, David Lammy, u shpreh:
“Për shumë kohë, bandat kriminale kanë mbushur xhepat e tyre të korruptuar dhe kanë shfrytëzuar shpresat e njerëzve vulnerabël pa u ndëshkuar, ndërsa nxisin migrimin e parregullt drejt MB-së. Ne nuk do ta pranojmë këtë gjendje.
“Është detyra jonë morale dhe pjesë kyçe e Planit për Ndryshim të bëjmë gjithçka që mundemi për të shkatërruar këto banda dhe për të siguruar kufijtë e Britanisë.
“Për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuar ka krijuar regjimin e parë në botë të sanksioneve kundër bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të parregullt, si dhe mundësuesve të tyre. Nga dita e nesërme, personat e përfshirë do të përballen me ngrirje të aseteve, përjashtim nga sistemi financiar britanik dhe ndalim udhëtimi drejt MB-së.”
Njoftimi i sotëm pasqyron mënyrën se si e gjithë qeveria po punon së bashku për misionin e vetëm të sigurimit të kufijve të Britanisë. Regjimi i ri plotëson punën e Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe Komandës për Sigurinë Kufitare për të luftuar krimin e organizuar të emigracionit dhe për të adresuar shkaqet e migrimit të parregullt në vendet e origjinës dhe tranzitit. Komanda për Sigurinë Kombëtare ka marrë një rritje buxheti prej 280 milionë £ në vit deri në vitin 2028 për të financuar hetues të specializuar, teknologji të reja dhe pajisje të avancuara të mbikëqyrjes për të ndërprerë dhe shkatërruar bandat kriminale.
Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, u shpreh:
“Regjimi i sanksioneve të reja shënon një hap vendimtar në luftën tonë kundër bandave kriminale që përfitojnë nga mjerimi i njerëzve. Ai do të na lejojë të synojmë asetet dhe operacionet e kontrabandistëve kudo që veprojnë, duke ndërprerë financimin e tyre dhe duke shkatërruar rrjetet e tyre një nga një.
“Përmes Komandës për Sigurinë Kufitare dhe partnerëve kyç si Agjencia Kombëtare e Krimit, ne po forcojmë lidhjet me shtetet e tjera për të luftuar këtë problem global.
“Së bashku, po dërgojmë një mesazh të qartë se ata që shfrytëzojnë njerëzit e pambrojtur dhe rrezikojnë jetë për përfitime nuk kanë ku të fshihen.”
Ky njoftim është pjesë e strategjisë me tre shtylla të FCDO-së ‘ndërprerje, ndalim, kthim’ për të adresuar globalisht migrimin e parregullt. Përveç ndërprerjes së rrjeteve të krimit të organizuar të emigracionit përmes sanksioneve, FCDO punon me vendet e origjinës dhe të tranzitit për të dekurajuar migrantët e mundshëm nga ndërmarrja e udhëtimeve të rrezikshme dhe bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme për të negociuar kthimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë, përfshirë kriminelë dhe azilkërkues të refuzuar. Që prej zgjedhjeve, mbi 35.000 persona janë kthyer, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Mbështetur në Ligjin për Sanksionet dhe Pastrimin e Parave (Akti i Sanksioneve), Qeveria ka paraqitur legjislacion dytësor në Parlament që prezanton një regjim të ri global sanksionesh për Migrimin e Parregullt dhe Trafikimin e Personave. Rregulloret do të diskutohen nga të dyja Dhomat e Parlamentit pas kthimit nga pushimet verore, në përputhje me procedurën e miratimit të menjëhershëm.
Ngrirja e aseteve ndalon çdo qytetar britanik, ose çdo biznes në MB, nga ndërveprimi me fonde apo burime ekonomike që janë në pronësi, mbajtje apo kontroll të personit në fjalë. Sanksionet financiare të MB-së zbatohen për të gjithë personat brenda territorit dhe ujërave territoriale të MB-së, si dhe për të gjithë shtetasit britanikë, kudo qofshin. Gjithashtu ndalohet ofrimi i fondeve apo burimeve ekonomike për, ose në dobi të personit të sanksionuar.
Ndalim udhëtimi nënkupton që personit të sanksionuar duhet t’i refuzohet leja për të hyrë ose për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, nëse ai/ajo është një person i përjashtuar sipas nenit 8B të Aktit për Emigracionin të vitit 1971.
Kur zbatohen sanksione për skualifikimin e drejtorëve, do të konsiderohet vepër penale nëse një person i caktuar, objekt i këtyre sanksioneve, vepron si drejtor i një kompanie ose do të marrë pjesë në menaxhimin, themelimin apo promovimin e një kompanie në MB.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






