Transmetuar më 22-07-2025, 07:48

KOSOVE – Pas një humbjeje shokuese 8-0 ndaj Vikingurit në ndeshjen e kthimit të raundit të parë të Conference League, e që e çoi rezultatin e përgjithshëm në 9-0, Malisheva ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Bekim Isufi dhe stafin e tij teknik.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi konfirmon se palët janë ndarë me marrëveshje të dyanshme. Bashkë me Isufin, janë larguar edhe zv.trajneri Arsim Tershani, trajneri i portierëve Diamant Kadriolli, si dhe video-analisti Shkumbin Gërguri.

Në deklaratë, Malisheva ka shprehur falënderim dhe mirënjohje të veçantë për punën e bërë nga Isufi, i cili gjatë vitit të kaluar udhëhoqi ekipin drejt një sezoni historik, duke siguruar për herë të dytë radhazi pjesëmarrjen në garat evropiane. Po ashtu, klubi ka vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e gjithë stafit teknik të larguar.

“Dyert e FC Malishevës do të mbeten gjithmonë të hapura për bashkëpunim të ardhshëm me ta,” thuhet në fund të njoftimit, duke e mbyllur me një urim për suksese në karrierën e tyre të mëtejshme. Në ditët në vijim, Malisheva pritet të emërojë trajnerin e ri dhe të kompletojë stafin teknik, teksa skuadra do të synojë të rikuperojë besimin dhe të rifillojë me një faqe të re pas kësaj goditjeje të rëndë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit