

TIRANË – Kryeministri Rama kërkon dorëheqjen e të gjithë nënkryetarëve të Bashkisë Tiranë, përfshirë Anuela Ristanin
Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e bashkisë së kryeqytetit. Takimi u zhvillua në kuadër të lëvizjeve të fundit në administratën vendore.
Ashtu siç ka ndodhur më herët në disa bashki të vendit, edhe Bashkia e Tiranës nuk i ka shpëtuar kërkesave të kryeministrit për largime nga detyra. Rama ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë nënkryetarëve të bashkisë, përfshirë edhe Anuela Ristanin, e cila është aktualisht e komanduar si kryetare.
Deri më sot, asnjë nënkryetar nuk ka refuzuar urdhrin e kryeministrit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se emërimi i një nënkryetari të ri kërkon firmën e kryetarit të zgjedhur, Erion Veliaj. Edhe pse ndodhet në paraburgim, ligjërisht Veliaj ruan të drejtën për të ushtruar funksionin përmes akteve zyrtare dhe për të firmosur emërime.
Rama kërkon 5 nënkryetarë për Bashkinë Tiranë, nis puna për ristrukturimin pas problemeve të evidentuara në terren
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të zhvilluar pasditen e sotme me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtues të Bashkisë, Kryeministri Edi Rama ka paraqitur një kërkesë të re për strukturën drejtuese të kryeqytetit.
Mësohet se Rama ka propozuar që numri i nënkryetarëve të Bashkisë Tiranë të rritet nga 4 në 5, me secilin që do të mbulojë një profil specifik.
Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj një raporti të paraqitur nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila ka evidentuar një sërë problematikash në funksionimin e strukturave bashkiake. Problemet janë identifikuar gjatë inspektimeve në terren dhe takimeve që deputetët kanë zhvilluar me qytetarët.
Për të ndjekur këtë proces ristrukturimi, është ngritur një grup pune që do të merret me përzgjedhjen e kandidatëve për nënkryetarë të rinj. Në përbërje të këtij grupi janë përfshirë ministrja Ogerta Manastirliu, drejtori i DPSHTRR Blendi Gonxhja dhe aktori/pedagogu Petrit Malaj, të cilët do të zhvillojnë intervista me kandidatët potencialë.
Ndërkohë, Anuela Ristani, e cila është aktualisht e komanduar si kryetare e Bashkisë Tiranë, do të vijojë në detyrë me fokus të veçantë në digjitalizimin e shërbimeve të bashkisë, sipas porosisë së drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






