

Kina ka shpallur një sërë masash të reja të politikave që synojnë të nxitin riinvestimin nga ndërmarrjet me financim të huaj në Kinë.
Këto masa paraqiten në mënyrë të detajuar në një qarkore të përbashkët të publikuar nga shtatë departamente kryesore qeveritare, që përshijnë Komisionin Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Burimeve Natyrore, Ministrinë e Tregtisë, Bankën Popullore të Kinës, Administratën Shtetërore të Tatim-Taksave dhe Administratën Shtetërore të Këmbimit Valutor. Masat mbulojnë një numër të gjerë fushash, që nga mbështetja e projekteve deri te inovacioni financiar.
Qarkorja thekson thjeshtimin e procedurave për investorët e huaj që krijojnë subjekte të reja, mbështetjen më të fortë për zbatimin e projekteve dhe shtimin e mundësive të përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare të përshtatura. Dokumenti gjithashtu paraqet programe pilot për raportimin e informacionit të investimeve, nxit shkëmbimin më të mirë të informacionit ndërmjet autoriteteve dhe planifikon përmirësimin e metodave të vlerësimit për promovimin e investimeve të huaja.
"Secili prej këtyre shtatë departamenteve mbikëqyr fusha të ndryshme, por që plotësojnë njëra-tjetrën," u shpreh zv.drejtori i Institutit të Studimeve Ekonomike Ndërkombëtare në Komisionin Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës Liu Yue. "Së bashku, ato mund të garantojnë një zbatim të bashkërenduar dhe efektiv të politikave që përmbushin si qëllimet në nivel makro, ashtu edhe nevojat në nivelin e ndërmarrjeve."
Për shembull, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës është përgjegjës për hartimin e strategjive të investimeve të huaja dhe miratimin e projekteve të mëdha; Ministria e Financave dhe autoritetet tatimore hartojnë politika preferenciale financiare dhe tatimore; Ministria e Burimeve Natyrore menaxhon ndarjen e tokës dhe metodat e qiradhënies elastike; kurse banka qendrore dhe Administrata e Këmbimit Valutor mbikëqyrin qarkullimin ndërkufitar të kapitalit dhe pagesat në valutë.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Tregtisë tregojnë rritjen e besimit të investitorëve të huaj. Në pesë muajt e parë të vitit 2025, në Kinë u krijuan mbi 24 000 ndërmarrje të reja me investime të huaja, duke shënuar një rritje prej 10.4 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Përveç kësaj, sektorët e teknologjisë së lartë janë bërë nxitësit kryesorë të përdorimit real të investimeve të huaja, duke zënë mbi 30 %.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






