Transmetuar më 20-07-2025, 09:52

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me sherrin e dhunshëm që ndodhi të shtunën në plazhin e Ksamilit.

Sipas policisë, janë arrestuar tre persona, të cilët akuzohen për dhunë ndaj një 46-vjeçari, ndërsa një 17-vjeçar nga Kamza është proceduar në gjendje të lirë.

Të arrestuarit janë: A. T., 43 vjeç, banues në Berat, S. S., 18 vjeç, banues në Dibër, dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës.

“Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin A. P., 46 vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, sipas policisë, në procedim penal është marrë edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi ka shkaktuar dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.

“Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale ‘Shkatërrimi i pronës’ dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40 vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në ‘beach bar’-in e shtetasit të arrestuar A. T.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia njofton se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit