

Një shkëmbim i dyshimtë në një parking në zonën e Golemit ka çuar në zbardhjen e një skeme të gjerë të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të kultivuara në ambiente të mbyllura me ndriçim artificial.
Tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një sërë kontrollesh dhe sekuestrimesh që përfshinë drogë, armë zjarri, municion luftarak, jelekë antiplumb dhe pajisje për laboratorë indoor.
Policia tha se në kuadër të operacionit policor të koduar "The Wrong Meeting", u arrestuan në flagrancë tre persona dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë, të dyshuar për përfshirje në rrjetin e shpërndarjes dhe kultivimit të kanabisit.
Të arrestuarit janë:
Shaban Tusha, 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, i cili posedonte armë zjarri (pistoletë), municion luftarak, 600 gram lëndë narkotike kanabis dhe pajisje për kultivim të drogës në ambient të mbyllur;
Dario Sefa, 21 vjeç, banues në Peqin;
J. B., 17 vjeç, banues në Golem, Durrës.
Të tre akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkëpunim”, ndërsa ndaj Shaban Tushës rëndon edhe akuza për “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Të shpallurit në kërkim:
Gersi Sallufi, 39 vjeç, banues në Peqin;
Mario Lluca, 33 vjeç, banues në Peqin;
Të dy të dyshuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.
Detajet e ngjarjes:
Operacioni u shtri në dy zona: në Golem, ku në një parking policia kapi në flagrancë Shaban Tushën dhe Dario Sefën gjatë një shkëmbimi droge. Në vendngjarje u sekuestruan 4.5 kg kanabis në formë boçeje.
Pas hetimeve, rezultoi se edhe 17-vjeçari J.B. ishte i përfshirë në aktivitetin kriminal. Gjatë kontrollit në ambientin ku ai banonte pranë parkingut, policia gjeti edhe 1.1 kg kanabis.
Në vijim të operacionit, në banesën e Shaban Tushës në Tiranë, policia sekuestroi:
600 gram kanabis,
një armë zjarri (pistoletë) dhe municion luftarak,
2 jelekë antiplumb,
pajisje për kultivim të drogës me llamba,
2 automjete dhe
6 aparate celularë.
Sipas hetimeve, Sallufi dhe Lluca kanë luajtur rol në zinxhirin e shpërndarjes dhe kultivimit të drogës, dhe aktualisht janë në kërkim.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






