

Elbasan, 20 korrik 2025 – Mbrëmjen e së shtunës, më 19 korrik, në orën 22:00, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Humbja e tij përbën një dhimbje të madhe jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për gjithë qytetin e Elbasanit, ku At Nikolla njihej për përkushtimin shpirtëror, urtësinë dhe dashurinë për njerëzit.
Lindur dhe rritur në Elbasan, At Nikolla i përkiste brezit të klerikëve që e jetuan thirrjen fetare si një mision jetësor. Për dekada të tëra, ai shërbeu në Kishën “Shën Maria” në lagjen Kala – një ndër qendrat më të vjetra të besimit ortodoks në vend – të cilën e ktheu në një vatër të gjallë shpirtërore e sociale.
Gjatë gjithë jetës së tij, ai qëndroi pranë komunitetit në çdo moment: në gëzime, në sfida, në ditë festash dhe periudha të vështira. I njohur për shpirtin e butë, fjalën e mençur dhe gatishmërinë për të ndihmuar, ai ishte një figurë e dashur e qytetit dhe një zë i matur e i respektuar i besimit ortodoks.
Ceremonia e pritjes për ngushëllime po zhvillohet në Kishën “Shën Maria”, aty ku At Nikolla kaloi jetën në shërbim të Zotit dhe njerëzve. Ndërsa ceremonia mortore do të mbahet sot, më 20 korrik, në orën 17:00, me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëqytetarëve dhe besimtarëve që do t’i japin lamtumirën e fundit.
At Nikolla Marku do të kujtohet si një njeri i fesë, i urtësisë dhe dashurisë për njeriun. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e kishës dhe në zemrat e atyre që ai preku me fjalën dhe veprën e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






